Stafi i SPAK-ut dhe i Gjykatave të Posaçme forcon aftësitë profesionale në trajnimin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së
Tridhjetë këshilltarë ligjorë dhe sekretarë gjyqësorë të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe të Gjykatave të Posaçme forcuan aftësitë e tyre profesionale në kërkimin ligjor, arsyetimin ligjor dhe shkrimin juridik, gjatë një kursi trajnimi të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Gjykatat e Posaçme, më 5 dhe 6 nëntor 2025.
Trajnimi kishte për qëllim të përmirësonte aftësinë e pjesëmarrësve për të kryer analiza të thelluara ligjore dhe për të hartuar dokumente juridike të qarta, të qëndrueshme dhe të arsyetuara mirë — elementë kyç për të siguruar cilësinë, transparencën dhe efektivitetin e punës gjyqësore.
Gjatë programit, pjesëmarrësit eksploruan aspektet themelore të kërkimit dhe arsyetimit ligjor, si dhe praktikat bashkëkohore në shkrimin juridik, duke përfshirë përdorimin e terminologjisë së saktë dhe stilin profesional të shkrimit. Sesionet ndërvepruese, ushtrimet praktike dhe diskutimet në grup u konceptuan për të nxitur të mësuarit aktiv dhe shkëmbimin mes kolegëve. Studime rastesh dhe shembuj konkretë nga puna e tyre e përditshme u përdorën për të rritur zbatueshmërinë e përmbajtjes së trajnimit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, Mauro Puzzo, Drejtues i Departamentit për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut në Prezencën e OSBE-së, theksoi rëndësinë e zhvillimit profesional në forcimin e sundimit të ligjit. “Institucionet e forta varen nga profesionistë të pajisur me aftësitë dhe integritetin për të zbatuar ligjin në mënyrë të qëndrueshme dhe për ta komunikuar qartë atë. Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri në ndërtimin e kapaciteteve dhe në nxitjen e një kulture profesionalizmi dhe përgjegjshmërie”, tha ai.
Trajnim është pjesë e mbështetjes së vijueshme të Prezencës së OSBE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe i përpjekjeve të saj për të promovuar integritetin, efikasitetin dhe transparencën brenda institucioneve gjyqësore.